Aksionerët e inceneratorit të Tiranës merren në pyetje nga SPAK, thonë se nuk e njohin njëri-tjetrin, por vetëm pronarët “de facto”, Mërtirin dhe Zoton.

Prokuroria e Posaçme  sekuestroi këtë të martë ineceneratorin e Tiranës, ku pas hetimeve rezultoi se pronarë “de facto” të në impiantin e përpunimit të mbetjeve janë shtetasit: Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Gjatë hetimeve për koncesionin janë marrë në pyetje edhe aksionerët që figurojnë në dokumentat zyrtare.

SPAK përmes letërporosive i ka drejtuar disa pyetje Alberto Presezzit të “Bruno Presezzi spa”, Salvatore Rusellit të “Hydro srl”, Thomas Hansmanit nga “Paul Ëurth” dhe Ernesto Granelliit nga “Energy Recuperator”.

Këta persona rezultojnë të jenë aksionerët e kompanisë mëmë të inceneratorit të Tiranës, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, që më pas e ka ndryshuar emrin në “Geogenix B.V”.

Alberto Presezzi, Salvatore Ruselli, Thomas Hansman dhe Ernesto Granelli kanë deklaruar për SPAK se nuk e njohin njëri-tjetrin dhe as personat që kanë pasur role drejtuese te “Geogenix B. V.”.

Ata kanë deklaruar se njohin vetëm Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, ndërsa pretendojnë se nuk e dinë kush i ka regjistruar si pronarë fundorë.

Mësohet se Thomas Hansman ka thënë për SPAK ,se është shkëputur ng “Integrated Energy B. V.” që në dhjetor 2017, tre muaj pasi kompania fitoi kontratën koncesionare të Sharrës.

Alberto Presezzi është shprehur se bashkë me kompaninë zvicerane “Icare” zotërojnë shumicën e aksioneve të “Geogenix B. V.”,duke  theksuar se aksionet e tyre janë, pa fuqi ligjore, pasi nuk kanë mundur ta gjenin financimin 100 milionë euro për inceneratorin e Tiranës.

Ndërsa Salvatore Ruselli që zotëron 25 % të aksioneve pretendon se nuk ka gisht në këtë aferë dhe se ka vetëm 1 kuotë me vlerë të papërfillshme.

Ndërkohë Ernesto Granelli, ndonëse rezulton aksioner me 30 %, ka thënë se nuk e  ka idenë që kompania e tij ka fituar kontratën për impiantin e mbetjeve në Tiranë.