ERE VENDOSI MOSRISHIKIM TË ÇMIMIT TË ENERGJISË, SHOQATA: E PAMUNDUR TË PLOTËSOHEN KUSHTET

Kreu i Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia përmes një reagimi thotë se kushtet e vendosura nga Enti Rregullator i Energjisë janë të pamundura të zbatohen.

Sipas tij, kushtet për vendosjen e dy sahateve janë të pamundura të plotësohen.

“Para disa ditësh, ju dhatë vendimin e ERE-s për mos ndryshim të çmimit të energjisë për furrat e bukës. Ka një situatë ndryshë . Ne kemi kërkesën zyrtare ndaj ERE-s të cilën do jua bashkangjis më poshtë ku theksohet se nga ERE janë ndryshuar kushtet për vendosjen e dy sahateve të cilat janë të pamundura të plotësohen. Për detajet mund t’ju bëj interpretim të problematikës. Me respekt Gezim Peshkopia”

Kujtojmë se Enti Rregullator i Energjisë dhe furrat e bukës dhe të prodhimit të miellit nuk kanë rënë dakord për rishikimin e çmimit për furnizimin me energji elektrike të aktivitetit të furrave të bukës.

Në vendimin e bërë publik nga ERE, arsyetohet se FSHU nuk ka plotësuar kriteret, mbi të cilat do të mund të vlerësohen dhe të analizohen kostot e aktivitetit si dhe niveli i të ardhurave.

Kërkesa për rishikimin e çmimit të energjisë u depozitua pak muaj në parë, ku shoqata kërkonte aplikimin e drejtë dhe jodiskriminues të çmimeve të energjisë elektrike ndaj klientëve, si dhe përfitimin e çmimit vetëm për aktivitete të caktuara.

Sipas tyre, ndarja e ambienteve për qëllime të faturimit të energjisë së konsumuar ka shkaktuar probleme, si dhe abuzime duke sjellë rritje të kostove për shumë furra buke dhe prodhues mielli. Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve, Enti Rregullator i Energjisë nuk e mori parasysh kërkesën e tyre.