FLAKËT U PËRHAPËN ME SHPEJTËSI DHE RREZIKUAN DY FSHATRA, SHUHET ZJARRI NË MALIN E SHPIRAGUT

Zjarri në malin Shpirag të Beratit është vënë në kontroll këtë pasdite, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nga toka dhe nga ajri.

50 trupa të FA, 5 mjete dhe helikopteri Cougar shkuan në vendngjarje gjatë natës.

“Prej mbrëmjes së djeshme, ka pasur një zjarr masiv nëpër kodrat e Shpiragut, ku paraprakisht dyshohet të ketë një rrufe. Zjarri mori përmasa të konsiderueshme dhe është operuar gjatë gjithë natës nga forcat operacionale, nga të gjitha strukturat e bashkisë dhe policisë”, u shpreh për gazetarët Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Flakët u favorizuan nga era dhe temperaturat e larta, duke marrë përmasa të mëdha në mal. Vatrat rrezikuan fshatin Starovë dhe Ramanic, ndërsa vetë banorë u përfshinë në aksionin për shuarjen e zjarrit.