KËRKOI TË PËRFITONTE NJË APARTAMENT, SI NISI KONFLIKTI I DJALIT TË ANËTARES SË KLP-SË ME NDËRTUESIN NË VLORË

Rei Meta, 33-vjeçari që goditi për vdekje 55-vjeçarin ditën e sotme në Vlorë është punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Kujtojmë se viktima Armando Meshau, 55-vjeç, humbi jetën pasi u godit dy herë me grusht në fytyrë nga 33-vjeçari Rei Meta. Të dy kanë pasur një konflikt të pazgjidhur, që ka qenë i mbartur prej mëse 8 muajsh. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:45 të mesditës në ambientet e një kancelarie në Vlorë, ku humbi jetën 55-vjeçari Armando Meshau.

Viktima ndodhej në kancelarinë nga ku u nxor i pajetë, për të printuar disa dokumente, por është konfliktuar me autorin 33-vjeçar, Rei Meta. Nga hetimet zbulohet se 33-vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë.

I riu kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti Meta. Në këmbim do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në qytetin bregdetar. Por, Meta kishte dështuar në rolin e tij si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen që e shqetësonte duke shfrytëzuar lidhjet me palë të treta.

Nga ana tjetër, 33-vjeçari pretendonte se ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin. Kaq ka mjaftuar që mes tyre të niste një konflikt, e që përfundoi me një viktimë.

I ndjeri kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës, dhe kur janë përballur në dyert e kancelarisë, debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje dhe përdorimin e grushteve. Rei Meta, aktualisht është punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.