KONCESIONI I STERILIZIMI, ISH-MINISTRI SHKËLQIM CANI PARAQITET NË SPAK

sh-ministri i Financave, Shkëlqim Cani është paraqitur në SPAK këtë të enjte, pak orë pasi GJKKO dha masë për tetë persona të përfshirë në shkelje.

Pak minuta më parë, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi masën “arrest me burg” me kërkesë të SPAK për ish zv. ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj i akuzuar për shpërdorim detyre dhe Ilir Rrapajn i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për koncesionin e sterilizimit.

Zyrtarë të tjerë të përfshirë janë Marsela Seriani dhe Saimir Kadiu të cilët u lanë në “arrest shtëpie” për shpërdorim detyre.

Kurse për Arben Gjatën, Naile AbazinGent Burazerin dhe Pertref Mersinin  u vendos masa “detyrim paraqitje” për shpërdorim detyre.

Në lidhje me këtë çështje, disa javë më parë është paraqitur në SPAK ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, pasi koncesioni u dha gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjithashtu më herët në SPAK dha dëshminë e saj ish-ministrja e Financave, Anila Denaj dhe  ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, tashmë i arrestuar.

Kujtojmë se në muajin qershor, SPAK tërhoqi dokumentet e sterilizimit dhe chekup në spitalet e vendit, lidhur me shërbimet që kryejnë, sasitë dhe pagesat e bëra për koncesionaret që kanë fituar tenderin.

Hetimet e SPAK që zgjasin prej dy vite e gjysmë konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”, e cila theksoi se kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Srevice” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.

Një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.