KREDITIMI NISI RËNIEN NË KORRIK! DEPOZITAT NË EURO U RRITËN NGA TURIZMI DHE INTERESAT E RRITURA

Edhe pse vlera reale e depozitave në valutë, kryesisht atyre në euro, janë zhvlerësuar përkohësisht si efekt i kursit të këmbimit, individët dhe bizneset vijojnë që t’i rrisin kursimet e tyre në monedhën europiane.

Kështu nga fillimi i janarit, depozitat në euro janë rritur me 442 milion euro, ndërsa ato në lekë kanë ardhur vetëm me ulje.

Për ekspertët ky trend vjen prej disa faktorësh.

“Kjo lidhet kryesisht me koston e parasë. Në kushtet kur banka e Shqipërisë ka stopuar në rritjen e normave të interesit në 3%, ndërsa banka qendrore evropiane ka vijuar t’i rrisë ato në 3.5% dhe ka ndërmend të vazhdojë, atëherë bizneset dhe individët duke zotëruar këtë informacion kanë vendosur që paratë t’i mbajnë në monedhën europiane”, tha eksperti Arben Malaj.

Pas një performance relativisht të mirë në gjashtë muajt e parë të vitit, gjatë korrikut kreditimi u tkurr. Niveli i kredisë së re të disbursuar ishte rreth 8% më ulët se një vit më pare. Ekspertët mendojnë se kjo lidhet me pritshmërinë e aktorëve ekonomikë

“Nëse do të shohim besimin e bizneseve dhe individëve te ekonomia, një indikator që banka e Shqipërisë e mat çdo muaj, për korrikun ishte më rënie. Kështu bizneset janë më skeptike dhe të pasigurta për pritshmëritë e të ardhmes që mendoj se ka impakt të drejtpërdrejtë te kredia”, tha Malaj.

Rënia e kërkesës për kredi erdhi si nga individët edhe nga bizneset, ku më e goditura ishte kërkesa për pasuritë e paluajtshme.