LIDERËT E RAJONIT MBLIDHEN NË SLLOVENI! RAMA ULET PRANË KURTIT, SHTRËNGOJNË DUART DUKE QESHUR

Në një darkë pune të organizuar nga kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, liderët e rajonit janë mbledhur në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bled, i cili zhvillohet nesër.

Në një video të postuar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dritan Abazovic, shihen liderët, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, duke u përshëndetur dhe shtrënguar duart me njëri tjetrin. Pas fotove ata ulen për të darkuar të rrethuar nga mediat. Darka u organizua edhe nga presidenti i KE-së, Charles Michel.

Të pranishëm janë gjithashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Në tavolinë, Rama shihet i ulur pranë Kurtit, ku edhe pse në asnjë moment të videos nuk janë parë duke biseduar me njëri tjetrin, në fotot që ka postuar kryeministri i Shqipërisë në Instagram shihen duke qeshur, teksa shtrëngojnë duart.

“Lubjanë, Slloveni – Në darkën e mikëpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit nesër”, ka shkruar Rama.