NATË E TENSIONUAR PËR RUSINË DHE UKRAINËN/ SULM ME RAKETA NË KIEV E ODESSA, GODITEN ME DRONË, MBYLLEN DISA AEROPORTE RUSE

Shpërthime ndodhën gjatë natës në Kiev dhe në qytetin jugor të Ukrainës, Odessa, sipas autoriteteve lokale dhe mediave. Bilanci i sulmeve me raketa në kryeqytetin ukrainas është të paktën dy të vdekur dhe tre të plagosur. Të paktën një i plagosur në Odessa.

Kievi përjetoi sulmin e tij më të keq “që nga pranvera e kaluar” sonte, sipas autoriteteve ushtarake lokale.

Sulme të shumta me dronë edhe nëpër rajonet e Rusisë. Mediat shtetërore ruse thonë se një aeroport në qytetin veriperëndimor të Pskov, pranë kufirit me Estoninë u godit nga dronët, duke dëmtuar dy avionë transportues ushtarakë.

Kjo është raportuar nga TASS duke cituar guvernatorin e zonës, Mikhail Vedernikov, sipas të cilit nuk ka të lënduar. “Në vendin e ngjarjes arrita që në fillim të aksidentit. Sipas informacioneve paraprake, nuk ka pasur viktima. Tani po vlerësohet shkalla e dëmit”, ka shkruar Vedernikov në kanalin e tij Telegram.

Aeroportet Domodedovo, Vnukovo dhe Sheremetyevo të Moskës janë mbyllur përkohësisht. Kjo u njoftua nga shërbimet ruse të transportit ajror të cituar nga agjencia Tass, pasi Ministria e Mbrojtjes e Moskës njoftoi rrëzimin e një droni ushtarak mbi rajonin e kryeqytetit rus.

Ukraina nuk ka thënë se ishte e përfshirë në sulmin e fundit, por ajo rrallë komenton sulmet brenda Rusisë. Sulme të tilla janë bërë më të zakonshme javët e fundit.

Ndërkohë ushtria ruse tha se forcat e saj kishin shkatërruar katër anije të shpejta ukrainase në një operacion në Detin e Zi.