“NDËRHYRJA NË SISTEMIN TIMS SHQETËSIM PËR SHBA”, REAGON BARDHI: GRUPI PARLAMENTAR I PD MBËSHTET HETIMIN E PLOTË!

Gazment Bardhi është shprehur se ndërhyrjet e raportuara në sistemet TIMS në policinë e Shtetit duhet të trajtohet me një kujdes të veçantë.

Gjithashtu ai shton se një skandal i përmasave të tilla kërkon një hetim të plotë, duke shtuar se Grupi Parlamentar i PD mbështet një hetim të tillë dhe se do të ndërmarrë çdo iniciativë parlamentare për zbardhjen e plotë të tij.

REAGIMI:

Shqetësimi i SHBA në lidhje me ndërhyrjet e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit meriton një vëmendje të veçantë nga Grupi Parlamentar i PD.

Ky skandal i denoncuar ditë më parë nga kolegët deputetë, që cënon të dhënave vetjake/sensitive të qytetarëve shqiptarë dhe shtetasve të huaj, kërkon një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm dhe duhet të jetë një nga prioritet e punës së Grupit Parlamentar në sesionin e ri.

Duke falenderuar të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, z. H. Martin McDowell për vëmendjen ndaj kësaj çështje, dua të siguroj çdo qytetar shqiptar e të huaj, se Grupi Parlamentar i PD mbështet hetimin e plotë të këtij skandali dhe do të ndërmarrë çdo iniciativë parlamentare për zbardhjen e plotë të tij.