NGA LUGINA E PATOKUT U NIS MBI 1 TON KANABIS, DETAJE TË REJA NGA OPERACIONI ANTIDROGË, ZBULOHET ITINERARI I VELIERËS QË U DOGJ NGA TRAFIKANTËT

Zbardhen detaje të reja nga operacioni ndërkombëtar antidrogë “Flakë në deti”. Gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor raportoi për “BalkanWeb” se nga Lugina e Patokut dyshohet të jetë nisur mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

Në sallën e gjyqit për caktimin e masave të sigurimit për 6 të arrestuarit, prokurori i çështjes Vladimir Mara ka pretenduar se hashashi do të shkëmbehej më të njëjtën vlerë parash me heroinë dhe kokainë.

Hetuesit kanë dyshime se veliera e cila u dogj nga dy shtetasit ukrainas dhe u fundos në det është nisur nga Turqia, ka ndaluar në Greqi, Mal i Zi dhe më pas në ujërat neutrale mes Shqipërisë dhe Italisë do të bëhej shkëmbimi i drogës. 4 shqiptarët e arrestuar dhe 2 ukrainasit nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë.

Ata kanë mohuar që të kenë lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. Mësohet se SPAK do kërkojë informacion në Turqi, Greqi dhe Mal të Zi për velierën me emrin “Nilua” në mënyrë që të zbulojë edhe personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë çështje. Gjatë operacioni policia dhe SPAK sekuestruar dy pistoleta me fishekë, rreth 50 mijë euro dhe 23 kg kanabis që u hodh në det nga të dyshuarit.