OPERACION ANTIDROGË NË KURBIN, GODITET GRUPI KRIMINAL! 6 TË ARRESTUAR, MES TYRE EDHE NJË ISH-ZYRTAR POLICIE! DROGA DO SHKËMBEHEJ NË DETIN ADRIATIK! SEKUESTROHET 28 KG KANABIS

KURBIN- Një megaoperacion ndërkombëtar antidrogë është zhvilluar nga policia shqiptare në bashkëpunim me SPAK dhe Guardia di Finanza italiane.

Mësohet se gjatë operacionit është goditur një grup kriminal me bazë në Fushë-Kuqe, të Kurbinit. Gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona ndërsa janë arrestuar 6 persona të cilët shkëmbenin kanabis me heroinë dhe kokainë, thanë burimet e gazetares së Report Tv Keti Banushi. Nga 6 të arrestuarit, 4 janë shqiptarë dhe 2 ukrainas. Mes të arrestuarve është edhe ish-zyrtari i lartë i policisë Arlind Ismailukaj.

Sipas të njëjtave burime, policia ka bllokuar 4 gomonet me drogë të cilat ishin nisur nga Laguna e Patokut, ndërsa ka gjetur edhe një velierë të djegur nga anëtarët e grupit kriminal me qëllim fshehjen e provave. 

Veliera është me flamur ukrainas dhe është nisur nga Mali i Zi. Droga do shkëmbehej në detin Adriatik 18 milje nga laguna Patokut.  Forcat RENEA kanë zbarkuar në disa banesa në Laç për kontrolle. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi droge dhe një shumë parash.

Policia thotë se është sekuestruar 28 kg kanabis nga operacioni anti-drogë që po zhvillohet në Kurbin në velierën që u gjet e djegur në detin Adratik e cila vinte nga Mali i Zi. Sipas policisë u sekuestruan 45 mijë euro dhe 2.5 mln lekë.