SHKODËR/ TENTUAN TË VIDHNIN AUTOMJETIN E BLLOKUAR NGA POLICIA, NË PRANGA ROJA DHE BASHKËPUNËTORI I TIJ

Dy shtetas janë arrestuar në Shkodër pasi kanë tentuar të vidhnin një automjet të tipit “Benz”, në vendparkimin e automjeteve të bllokuara nga policia.

Bëhet fjalë për 54-vjeçarin S.S nga fshati Mes, Shkodër i cili ishte roje në vendparkimin e automjeteve të bllokuara në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër dhe akuzohet për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.

Bashkëpunëtori i tij është 34-vjeçari R. M nga Shkodra, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja”. Të dy u arrestuan në momentin kur po tentonin të vidhnin automjetin pa targa, të cilin do ta transportonin me një kamionçinë në pronësi të 34-vjeçarit R.M.

Automjeti tip “Benz” dhe kamionçina u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.