SHQIPËRIA I BASHKOHET SANKSIONEVE EVROPIANE TË RADHËS PËR BJELLORUSINË! QËNDROI ALEATE E RUSISË QË PREJ NISJES SË PUSHTIMIT TË UKRAINËS

Shqipëria i është bashkuar Perëndimit për vendosjen e sanksioneve për Bjellorusinë, për mbështetjen e kësaj të fundit ndaj Rusisë që prej fillimit të agresionit në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

Sipas njoftimit zyrtar nga Këshilli i Evropës, janë pesë shtete (mes të cilave Shqipëria), të cilat i janë bashkuar sanksioneve.

Katër të tjerat janë Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Ukraina.

Po ashtu, edhe vende si Islanda, Liechtensteini apo Norvegjia janë bërë bashkë në këtë listë sanksionesh.

Ajo fillimisht është bërë publike më 3 gusht 2023 dhe në të përfshihen 38 individë dhe tre kompani bjelloruse, të cilat shihen si të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Duke pasur parasysh peshën e situatës në Bjellorusi dhe përfshirjen e saj në agresionin rus kundër Ukrainës, 38 individë dhe tre subjekte, duhet të përfshihen në listën e personave fizikë dhe juridikë, subjekteve dhe organeve që i nënshtrohen masave kufizuese”, shkruhet në njoftimin zyrtar nga Komisioni Evropian, sa i takon këtyre sanksioneve.

Një muaj më parë, Shqipëria iu bashkua po ashtu paketës së 11-ë të sanksioneve evropiane kundër Rusisë, së bashku me disa vende të tjera të rajonit dhe vende të cilat nuk janë anëtare në Bashkimin Evropian.