“SITUATA E ZJARREVE NË VEND, E MIRËMENAXHUAR”/ PELESHI: TË TREGOHEMI VIGJILENTË PËR SHIUN

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka folur për situatën e zjarreve dhe reshjeve në vend.

Përmes një deklarate për shtyp, Peleshi tha se zjarret janë menaxhuar si duhet çka tregon se ka funksionuar më së miri mekanizmi mbrojtës në vend. Sipas ministrit, falë punës së efektivëve zjarrfikës dhe Forcave të Armatosura është bërë e mundur mbajtja nën kontroll e vatrave të zjarrit duke mos pasur asnjë humbje jete. Ndërkohë tani duhet t’i paraprijmë pranisë së motit të keq në ditët e fundit.

“Në këtë moment të ditëve të fundit të verës së nxehtë dhe hyrjen në një tjetër sezon potencial për emergjencat civile, sezoni i reshjeve, dua të bëj një komunikim publik që vlen për qytetarët, por edhe të gjithë strukturën e Mbrojtjes Civile nga niveli vendor në atë qëndror. Gjithë mekanizmi jonë kombëtar ka funksionuar më mirë se çdo vit tjetër, kjo është arsyeja pse kemi mundur të menaxhojmë me sukses plotë 465 vatra zjarri, duke arritur objektivin primar ruajtjen e jetës së njerëzve, pra nuk kemi asnjë jetë të humbur apo të rrezikuar.

Kemi mundur të ruajmë pasurinë e qytetarëve tanë. Kemi shmangur më të keqen në shumë zona pyjore. Praktikisht një pjesë e mirë e zonave të djegura janë kullota. Kemi shmangur zjarret në pemtari. Në 24 orët e fundit zjarret vazhdojnë dhe janë aktive në qarqet Fier, Vlorë dhe Dibër.

Kemi pasur një situatë të vështirë në Frakull, zjarr kritik ka qenë zjarri pranë Porto Palermo në Qeparo, një zjarr tepër delikat ishte edhe shumë pranë Kishës së Laçit, ku pati ndërhyrjen e menjëhershme të Forcave të Armatosura. Dhe së fundmi në Shpirag. Po ashtu, kemi zjarret në Lurë, jo kritike”- tha Peleshi.

Duke e konsideruar praninë e reshjeve në sezonin e vjeshtës një tjetër sfidë, Peleshi u bëri thirrje qytetarëve dhe autoriteteve përkatëse që të jenë sa më të vëmendshëm për të shmangur çdo fatkeqësi.

Më tej, ministri u ndal shkurtimisht edhe tek kontributi i dhënë nga ekipi shqiptar i zjarrfikësve në Greqi. “Vazhdon misioni i 48 zjarrfikëseve dhe 9 mjeteve zjarrfikëse dhe mjeteve mbështetëse”, tha Peleshi duke shtuar se ushtarakët tanë kanë mundur t’u shpëtojnë jetën 9 emigrantëve nga Iraku, të gjetur në kushte asfiksie në mes të një zjarri në pyll.

“Mund të ketë ndonjë dalje nga shtrati të ndonjë përroi, të cilat sado të vogla të jenë mund të shkaktojnë rreziqe ose edhe humbje jetësh të njerëzve nëse nuk tregojmë kujdes. U bëj thirrje qytetarëve që duhet të qëndrojmë në alert në çfardo lloj situate. Iu bëj thirrje prefektëve që pavarësisht se temperaturat mund të ulen, do të duhet ta mbajmë tempin.

Është e veçantë këtë vit sepse numri i vatrave ka qenë i madh dhe impakti ka qenë i vogël. Kjo tregon se ka funksionuar mekanizmi për mbrojtjen nga zjarret. 30 mln euro nga Italia për mbrojtjen nga zjarret. Forcat e Armatosura janë faktori kyç. 

Përulem para sakrificës së çdo ushtaraku, në çdo situatë nuk janë të zhurmshëm dhe bëjnë një punë të madhe. Madje këtu është momenti të falenderoj efektivët tanë zjarrfikës, forcat e armatosura, që në misionin e tyre të solidaritetit në zonën e Aleksandropullit në Greqi po punojnë prej disa ditësh, po bëjnë një punë të madhe në mbështetje të shtetit grek i cili duhet thënë që e ka situatën shumë herë më të vështirë se ne. Të gjitha vendet rreth Mesdheut, duke filluar nga Portugalia, Spanja, Italia Jugore dhe Greqia, kanë situata zjarresh shumë kritike.

Në Greqi vazhdon misioni i 48 zjarrfikëseve dhe 9 mjeteve zjarrfikëse dhe mjeteve mbështetëse. Falenderoj bashkitë kufitare të Korçës dhe Maliqit që kanë kontribuuar me mjete dhe njerëz dhe janë pjesë e këtij misioni që po zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Në Greqi, ushtarakët tanë dhe misionet tona kanë mundur të shpëtojnë jetën e 9 emigrantëve nga Iraku, të gjetur në kushte asfiksie në mes të një zjarri në pyll. Duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë nga qytetari i thjesht deri tek strukturat qendrore sepse Shqipëria është një vend i bukur me trashëgimi kulturore dhe natyrore, një vend turistik, por nga ana tjetër një vend gjithnjë e më i ekspozuar edhe për shkak të ngrohjes globale, por edhe për shkak të pozicionit gjeografik dhe karakteristikave të tjera, jemi të rrezikuar përgjatë 12 muajve të vitit.

Ndaj nuk duhet të lodhemi, por të përsosim mekanizmin tonë të Mbrojtjes Civile dhe të jemi më vigjilentë për të mbrojtur qytetarin dhe për të iu bërë ballë këtyre situatave natyrore”- tha Peleshi.