SPAK MBYLL HETIMET DHE DËRGON PËR GJYKIM FRAN TUCIN, ISH-KRYETARIN E BASHKISË FUSHË ARRËZ

Prokuroria e Posaçme e SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kryetarin e bashkisë së Fushë Arrëzit Fran Tucin dhe dy të tjerë, pasi dëmtuan pyllin duke hapur një rrugë pa leje.

Sipas SPAK, Fran Tuci dhe Ndoc Marku, në bashkëpunim mes tyre, me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dëmtimin e rëndë (vlerësuar në 234,007,500 lekë) të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz.

Ndërsa Durim Margjekaj, në cilësinë e administratorit të firmës “Legjendari” sh.p.k. me dashje të plotë dhe të drejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse duke sjellë pasoja të rënda në pasurinë e llojit “fond pyjor” në pronësi të bashkisë Fushë Arrëz..

“Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 67 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 16.08.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1. Fran Tuci, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

2. Ndoc Marku, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

3. Durim Margjekaj, akuzuar për veprën penale të “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pgf 4 i Kodit Penal.”-njofton SPAK.