SULM POLICISË LONDINEZE! HAKERËT NDËRHYJNË NË SISTEMIN E “METROPOLITAN POLICE”

Policia Metropolitane e Londrës ndodhet në një nivel mjaft të lartë gatishmërie, pas një sulmi të madh kibernetik që ka çuar në hakerimin e të dhënave të oficerëve dhe stafit të policisë më të madhe në Britani.

47 mijë pjesëtarët e kësaj force policore janë njoftuar për ekspozimin e mundshëm të fotografive, emrave dhe gradave të tyre.

Mësohet se ky sulm ka ndodhur pasi kriminelët kibernetik kanë mundur të infiltrojnë në sistemin e IT-së, se një kompani kontraktore që merrej me printimin e kartave dhe dokumenteve që u mundësojnë stafit hyrjen në godinat dhe ambientet e Policisë në mbarë kryeqytetin britanik.

Kjo kompani e kontraktuar nga Policia Metropolitane kishte akses tek emrat, gradat, fotografitë dhe nivelet e vetingut si dhe kodet e pagesave për oficerët dhe stafin policor, deklarojnë zyrtarët e kësaj force policore.

Por ata shtojnë se kompania nuk ka pas informacione personale si adresat, numrat e telefonave apo detaje të tjera financiare. Agjensia Kombëtare e Luftës kundër Krimit, NCA, e cila njihet ndryshe si FBI-ja britanike, është thirrur në ndihmë nga frika e përfshirjes në këtë histori dhe e përdorimit të këtyre të dhënave nga grupet terroriste apo ato kriminale.

Sakaq, boset e kësaj force i kanë dërguar stafit mesazhe që të jenë vigjilent pas kësaj ngjarje të rëndë.

Kjo ndërhyrje thonë zyrtaret e Policisë në sistemin e sigurisë së IT-së “mund të shkaktojë një dëm të pallogaritshëm, nëse të dhënat kanë rënë në duart e gabuara”.