“U KURSYEM SHQIPTARËVE 900 MLN EURO”, BANKA E SHQIPËRISË SHPJEGON NDËRHYRJET

Forcimi i lekut ka shpëtuar qytetarët dhe bizneset nga rritja e normave të interesit dhe i ka kursyer atyre rreth 92 miliardë lekë në dy vite apo 900 milionë euro, që do t’i paguanin si shpenzime për kreditë e rritura. 

Në raportin e politikës monetare, Banka e Shqipërisë thotë se vendi ynë ka normën më të ulët të inflacionit në rajon, ku leku i fortë ka ndihmuar për ta zbutur me 2.5 pikë, dhe kjo po mbështet rritjen e ekonomisë dhe konsumin e familjeve. Më tej, Banka analizon se leku është forcuar ndaj euros për tre arsye kryesore të cilat janë përmirësimi ekonomik, rritja e besimit te monedha kombëtare dhe flukset e shtuara valutore. Investimet e huaja direkte dhe të ardhurat nga turizmi janë në nivele rekord sipas Bankës.

Insitucioni monetar shprehet se ulja e inflacionit në nivelin 3% është prioriteti kryesor i politikës monetare.

Në një historik të bërë kursit të këmbimit, Banka vlerëson se leku ka vijuar të forcohet që nga 2016 pa u ndalur, ndërsa dy vitet e fundit presionet mbi euron janë shtuar edhe për shkak të pasigurisë ekonomike në eurozonë si dhe rritjes së ashpër të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane.