UEFA SHPALL KANDIDATËT KRYESORË, MESSI SFIDON DE BRUYNE DHE HAALAND PËR MË TË MIRIN E SEZONIT TË FUNDIT

Lionel Messi është larguar nga Evropa dhe po shkëlqen në Amerikë, megjithatë ai është një nga tre kandidatët kryesorë për t’u shpallur lojtari më i mirë i sezonit të fundit.

UEFA ka shpallur listën e ngushtë të futbollistëve që garojnë për këtë çmim, teksa sulmuesi argjentinas konkurron me dy lojtarë të Manchester City, Kevin De Bruyne dhe Erling Haaland, me këta dy të fundit protagonistë absolutë në titullin e fituar në Premier League dhe fitimin e Champions League.

Çmimi prestigjoz do të jepet më 31 gusht në Monte Carlo, teksa më pas do të hidhet edhe shorti i frupeve të Champions League për sezonin e ri. Messi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën, por është një kompeticion i organizuar nga FIFA dhe për pasojë Haaland duket favorit për të fituar këtë çmim.

Përveç futbollistit më të mirë të sezonit, UEFA do të shpallë edhe trajnerin më të mirë. Në garë janë dy italianët Luciano Spalletti dhe Simone Inzaghi përballë Pep Guardiolës, me këtë të fundit favorit absolut, teksa duke drejtuar Manchester City-n, fitoi katër trofe, Kupën e Anglisë, Premier League, Champions League dhe së fundmi edhe Superkupën Evropiane.