ZBULIMI I NAFTËS NË SHPIRAG/ BALLUKU: DEKADA QË KEMI PËRPARA DO TË SHËNOJË NJË PERIUDHË TË RE, PASURIA I PËRKET SHQIPTARËVE

Në një kohë kur testi Tetorit për naftën e gjetur në Shpirag është vendimtar për të ardhmen e kësaj pasurie kombëtare, e cila përkthehet në qindra milionë dollarë në vit, Belinda Balluku zëvendës kryeministre dhe ministre e infrastrukturës e shikon si një gur kilometrik për një vend naftëmbajtës si Shqipëria.

“Kurrë më parë nuk ka pasur një mundësi të vërtetë të zbulimit të potencialeve nëntokësore që ka. Prej këtu nis një rrugë e gjatë ndryshuese për vendin tonë dhe ne jemi të angazhuar të arrijmë përmes bashkëpunimit me kompanitë e ekselencës botërore, rezultatet më të favorshëm, por mbi të gjitha të jemi transparent dhe të komunikojmë me shqiptarët gjithçka, pasi të gjitha këto pasuri i përkasin popullit dhe do të jenë në funksion të tij”– u shpreh Belinda Balluku

Zëvendës kryeministria Balluku ritheksoi atë që deklaroi një ditë më parë bashkë me kryeministrin Edi Rama, se kjo pasuri nuk do të ketë fatin e koncesioneve të mëparshme në sektorin e hidrokarbureve.

Prandaj për maksimalizimin e mirë shpenzimin e të ardhurave nga çdo fuçi naftë prodhuar në Shpirag, do të menaxhohen përmes një Fondi Sovran, i cili thotë zëvendës kryeministria do të ndjekë, praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Dekada që kemi përpara do të shënojë një periudhë të re, të begatë për vendin tonë, një periudhë të re për çdo fëmijë, vajza e djem, burra e gra që kanë besuar dhe nuk janë asnjëherë dorëzuar së besuari, se Shqipëria është vendi ku ata duan të jetojnë.”- tha Belinda Balluku.

Qeveria, kompania naftë kërkuese dhe publiku duhet të presin testin final e të shumëpritur për të mësuar qëndrueshmërinë e presionit të fluksit të gazit dhe të naftës që mund të nxirret nga mbi 6.000 metra në nëntokë.