BEGAJ TAKON OSMANIN NË NEW YORK/ MESAZHI PËRMES FOTOS: BASHKË

Presidenti i Republikës Bajram Begaj është takuar me homologen nga Kosova Vjosa Osmani në New York, ku ndodhen për punimet e Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Begaj ka shpërndarë në rrjetet sociale një foto, ku ndodhet krah Osmanit. Postimi mban mbishkrimin: Bashkë!

Më herët, Begaj zhvilloi një takim me Presidentin e Konfederatës Zvicerane dhe Kreun e Departamentit Federal për Punët e Brendshme,  Alain Berset. Në takim u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh vendosmëria për forcimin e mëtejshëm të tyre, si dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

“Komuniteti shqiptar në Zvicër është një urë lidhëse e fortë mes dy shteteve tona“, nënvizoi Presidenti Begaj.

Presidenti i Republikës falenderoi homologun zviceran për ndihmën e vazhdueshme dhe mbështetjen thelbësore të Zvicrës në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në vendin tonë, në sektorin e energjisë, turizmit, shëndetësisë, në të cilën Zvicra renditet si donatori kryesor, duke ndihmuar në përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe në hartimin e strategjisë kombëtarë për kujdesin parësor shëndetësor.