INTENSIFIKOHEN SULMET, MBI 900 PALESTINEZË TË VDEKUR/ 1200 IZRAELITË TË VRARË NGA HAMASI! BIDEN SHPREH MBËSHTETJEN PËR IZRAELIN

Numri i palestinezëve të vrarë në luftë është mbi 900 dhe gati gjysma prej tyre raportohet se janë gra dhe fëmijë.

Mbi 4.500 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore të fundit të Izraelit, njofton Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Avionët luftarakë izraelitë kryen një valë sulmesh gjatë të martës. Sulmet shkaktuan dëme të mëdha në dhjetëra shtëpi, zyrat e kompanive të telekomunikacionit dhe ndërtesat e fakulteteve të Universitetit Islamik të Gazës.

Rimali, lagja më e pasur dhe zakonisht më e qeta e qytetit të Gazës, e goditur nga sulmet, tashmë është ndër zonat e rrënuara. Kudo ka ndërtesa të shkatërruara, xhama të thyer, kabuj të energjisë të këputur. Është një natë që banorët nuk do ta harrojnë kurrë, thotë gazetari i BBC-së, Rushdi Ebu Aluf, që raporton nga vendngjarja.

Rripi i Gazës mund të jetë në prag të një krize humanitare nëse nuk lejohet futja e ndihmave në territoret e prekura. Përpos frikës së sulmeve të pareshtura nga Izraeli, miliona banorë rrezikojnë të mbeten të uritur. Ndihmat e organizatave tashmë janë paralizuar, duke mos mbërritur në destinacionin e duhur. Spitalet po përballen me mungesë ilaçesh edhe pse nevojat janë shumë të larta, pasi pacientët kanë tejmbushur ambientet. Gjithashtu mungon furnizimi me energji elektrike. Ajo që e ka bërë situatën më të papërballueshme është tërheqja e disa vendeve nga vijimi i ofrimit të ndihmave për Palestinën, duke qëndruar kështu në krah të Izraelit për situatën e sulmeve. Më e fundit u konstatua Suedia, e cila deklaroi se do të pezullojë ndihmën e zhvillimit për Palestinën.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Unioni Europian kanë vendosur të qëndrojnë pranë popullit të Palestinës, duke mos pezulluar ndihmat. OKB-ja njoftoi se rrethimi i vendit nga Izraeli, përfshirë ndërprerjen e ujit, ushqimeve dhe nevojave të tjera jetike, bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Hamasi vazhdon sulmet ndaj Izraelit, duke shkaktuar deri më tani 1200 viktima. Në Kfar Aza, një zonë në Izrael, 200 metra afër kufirit me Gazën u gjetën trupat e vrarë të 200 izraelitëve. Autoritetet që flasin për një masakër të vërtetë thanë se identifikuan viktimat, mes të cilëve kishte edhe 40 fëmijë e foshnje. Të dhënat zyrtare flasin për 1200 viktima vetën më Izrael, ndërsa numri i pengjeve në duart e Hamas është rritur në 200.

Militantët e Hamasit duket se nuk do të ndalen, ndërsa vijuan të qëllojnë me raketa qytetin Ashkelon. Hamasi kishte lajmëruar qytetarët izraelitë të largoheshin nga qyteti bregdetar jugor, përpara se milicia palestineze të fillonte një sulm të rëndë ajror. Nga ana tjetër as Izraeli nuk i ka ndalur sulmet, duke rrethuar Gazën me tanke, duke ndërprerë tërësisht mundësitë e furnizimit me karburant, ushqime dhe energji elektrike. Në qendër të Gazës janë parë shpërthime të mëdha edhe gjatë mbrëmjes së kësaj të marte.