SHQIPËRIA PËRMBYLLI PRESIDENCËN E DYTË TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT/ HASANI: NDIHEMI KRENAR QË E KEMI DREJTUAR ME SUKSES

Shqipëria mbylli presidencën e saj të dytë në drejtimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashme, Igli Hasani u shpreh se ndihemi krenar që kemi drejtuar me sukses Këshillin e Sigurimit, në një kohë kaq kritike, ku u folën për tema delikate, si ajo e Ukrainës.

Në fokus, thotë Hasani, ishte nevoja për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së, si dhe përshpejtimi i ndihmës humanitare në mbarë botën.

“Shqipëria përmbylli sot Presidencën e dytë dhe të fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në fokus të së cilës ishte nevoja urgjente për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së, si dhe përshpejtimi i ndihmës humanitare në mbarë botën. Ndihemi krenarë që kemi drejtuar me sukses Këshillin e Sigurimit në një periudhë kaq kritike”, ka shkruar ai në një postim në X, dikur Twitter.

Shqipëria organizoi një Debat të Hapur të Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me titull “Nxitja e Partneritetit Publik-Privat”.

Mbledhjen e hapi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili në prezencën edhe të presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, i dha mbështetje të plotë Ukarinës, dhe tha se duhet të qëndrojmë krah saj, duke u përplasur me Rusinë.