Duke nisur nga sot, kush jep prona me qira në Booking apo AirBnb nuk do ketë më mundësi të operojë në informalitet.
Mes kompanive ndërkombëtare që ofrojnë këtë lloj shërbimi dhe administratës tatimore është vendosur bashkëpunimi për formalizimin e tregut dhe për taksat që duhet të paguhen për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë afatshkurtër. Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u ka kërkuar pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 Nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking.P.Sh. nëse një shtëpi ka një qira ditore 100 euro, Booking merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro. Tashmë Booking do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, 2.4-3.6 euro shtesë. Këtë shumë Booking do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare. Pavarësisht se shuma që Booking do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve është që përmes këtyre pagesave të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.