LUSHNJË,NGACMOI SEKSUALISHT, BRENDA PERIMETRIT TË SIGURISË TË NJË GJIMNAZI, 4 NXËNËSE, VIHET NË PRANGA 37-VJEÇARI

Në vijim të masave të ndërmarra për të parandaluar depërtimin e fenomeneve kriminale, në shkolla, si dhe i bashkëpunimit me të gjitha hallkat e zinxhirit të sigurisë në këto ambiente dhe përreth tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë janë njoftuar se 4 nxënëse të një gjimnazi (secila 15 vjeçe), janë ngacmuar seksualisht, nga i njëjti shtetas, brenda perimetrit të sigurisë të këtij institucioni. Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin B. B., 37 vjeç, banues në fshatin Rrapëz, për veprën penale “Ngacmimi seksual”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit është e vendosur për të zbatuar me rigorozitet masat e përcaktuara në Paketën për Sigurinë në shkolla, duke bashkëpunuar ngushtësisht me oficerët e sigurisë në shkolla, stafet pedagogjike, psikologët, punonjësit socialë dhe me qeveritë e nxënësve.