Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka ngritur shqetësimin se një tjetër sulm terrorist mund të organizohet nga grupi paramilitar i Milan Radojçiç me mbështetje të Beogradit.
Sipas tij, të premten e 10 nëntorit në Rashkë të Serbisë ka pasur një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova që drejtohej nga Radojçiç, i cili u ka kërkuar atyre mobilizim për fushatën zgjedhore.“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë. Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviçit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë”, tha Kurti.