Pas pezullimit 24 orësh të lundrimeve nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas, mbrëmjen e së shtunës tragetet e linjës Durrës-Bari do të vijojnë lundrimet e tyre.
Lajmi është konfirmuar këtë mesditë nga Kapiteneria e portit detar të Durrësit, ndërsa nuk ka ende një konfirmim deri në këtë moment nga autoritetet detare për nisjen e trageteve edhe nga porti italian i Barit drejt portit më të madh shqiptar.Përkeqësimi i motit, veçanërisht në det të hapur, me një erë të fortë dhe det të dallgëzuar deri në 8 ballë çoi në marrjen e vendimit për pezullimin e përkohshëm të lundrimit për tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas. Natën e kaluar tragetet e kësaj linje nuk u nisën nga të dyja brigjet e Adriatikut. Të shtunën kushtet atmosferike janë më të qeta në brigjet e Adriatikut lindor, ku era që fryn nga veriu nuk shkakton probleme për lundrimin e trageteve nga Durrësi drejt Barit.