SEANCA E RADHËS PËR BERISHËN, SHTYHET PAS MESDITE

Seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha, e planifikuar të mbahej sot në 09:00, është shtyrë për në orën 14:00.

Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 14:00, njofton Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Avokatët e Berishës kanë ankimuar vendimin e GJKKO-së, që la në fuqi masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për ish-kryeministrin. Përmes mbrojtjes, Berisha kërkon shuarje të masës së sigurisë.

Berisha ka munguar në të gjitha seancat gjyqësore të mbajtura për të, ndaj e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë të premte.

Një ditë më parë, avokati mbrojtës i Jamarbër Malltezit, kërkoi të çlirohen nga masa e sekuestros preventive rreth 25 asete pasurore, midis tyre edhe llogari bankare, një vilë, apartamente, por edhe aksione të shoqërive që janë nën hetim për dosjen e privatizimit të kompleksit Partizani.

Ndërkohë, pas nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që të përjashtohet nga trupa gjyqësore dhe gjykimi i kësaj çështje gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Iliriana Olldashi, pasi sipas SPAK zonja Olldashi ka konflikt interesi.

Gjyqtarja Iliriana Olldashi pak ditë më parë zbuti, por nuk ka argumentuar ende vendimin masën e ‘arrestit me burg’ në ‘arrest shtëpiak’ për Jamarbër Malltezin.

Ndërkohë, Garda e Republikës ka shtuar masat e sigurisë fizike për gjyqtaren antikorrupsion, Irena Gjoka, që dha më herët masën arrest me burg për Malltezin dhe detyrim paraqitje për Berishën, të cilës nga katër truproja i janë vendosur 6 edhe në banesë. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, mësoi nga Garda, që shtoi se shtimi i sigurisë ndodhi mbas sulmeve verbal ndaj gjyqtares, pas vendimit të datës 20 tetor, ku vendosi detyrim paraqitje  për ish kryeministrin Sali Berisha dhe arrest me burg për Jamarbër Malltezin.