TRAFIK DROGE NGA SHQIPËRIA DREJT KOSOVËS, TË PËRFSHIRË DY KOSOVARË, DY MAQEDONAS DHE DY SERBË

Një trafik droge nga Shqipëria drejt Kosovës është shpërbërë nga policia.

Si rezultat janë arrestuar dy persona nga Kosova, një nga Maqedonia e Veriut ndërsa tre të tjerë janë në kërkim.

Në pikën kufitare të Qafë Prushit në Kukës, në dalje të Shqipërisë u arrestua 38-vjeçari J. K., banues në Gjakovë, pasi nga kontrolli në automjetin tip “Peugeot” që drejtonte u gjetën rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Sipas hetimeve të policisë 38-vjeçarit ia kishin dhënë makinën bashkë me lëndën narkotike në Morinë dy persona, G. M., nga Kosova, dhe A. A., nga Maqedonia e Veriut, kundrejt pagesës për ta dërguar në Kosovë.

Gjithashtu në këtë trafik droge janë të përfshirë edhe 1 maqedonas dhe dy serbë. Nga njoftimi i policisë po vijon puna për kapjen e tyre në bashkëpunim me policitë homologe.

Sasia e lëndës narkotike, e ndarë në disa pako, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 38-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.