EUROPOL AKSION NDËRKOMBËTAR NË EUROPË PËR GODITJEN E KRIMIT/ PJESË EDHE POLICIA E SHTETIT, 566 TË ARRESTUAR

Policia e Shtetit mori pjesë në një operacion ndërkombëtar 5-ditor, në të gjithë Evropën, të quajtur EMPACT JAD SEE, Ditët e Veprimit të Përbashkët EMPACT në Evropën Juglindore.

I zhvilluar në 26 vende në të gjithë Evropën, ky operacion synonte trafikun e armëve, të drogës, kontrabandën e emigrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe rrjete kriminale me rrezik të lartë, të mbështetur nga Europol, Eurojust, Frontex, Interpol dhe një sërë strukturash të tjera morën pjesë.

Në Shqipëri operacioni u koordinua nga Drejtoria e Europol, duke angazhuar në total 315 punonjës të Policisë së Shtetit për kontrollin e 2648 subjekteve, 1525 shtetasve, 987 mjeteve, 40 pakove postare dhe 92 ambienteve. Në vendin tonë u arrestuan 28 shtetas, u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, 81 kg lënde narkotike canabis dhe shumë doza kokainë.

Në total në 26 vendet europiane, gjatë këtij operacioni janë arrestuar 566 shtetas (218 për trafikimin e personave, 186 për trafikimin e drogës, 69 për trafikimin e armëve, 89 për krime të tjera); janë sekuestruar 310 armë zjarri, municion luftarak dhe rreth 1 ton drogë (626 kg kokainë, gati 300 kg cannabis, heroinë dhe lëndë të tjera narkotike.

Operacioni u koordinua nga një qendër koordinimi ndërkombëtare e krijuar në Shkup, ndërsa Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Suedia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar, ishin shtetet e tjera pjesëmarrëse.