KUSHTE HIDROMETEOROLOGJIKE TË PËRKEQËSUARA, AUTORITETET DETARE APELOJNË PËR KUJDES

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar përgjatë bregdetit shqiptar gjatë së mërkurës dhe pjesës së parë të ditës së enjte Drejtoria e Përgjithshme Detare ka tërhequr vëmendjen për më shumë kujdes veçanërisht anijet e tonazhit të ulët.

Era fryn në drejtimin jug-juglindje me një shpejtësi prej 25 metra për sekondë, duke shkaktuar një det në forcën 7-8 bft dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra.

Autoriteti detar ka njoftuar të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që veprojnë përgjatë bregdetit  shqiptar të kenë parasysh përkeqësimin e motit dhe të marrin masa për sigurimin e anijeve me qëllim parandalimin e situatave dhe incidenteve detare.

Sipas njoftimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar nuk do të preken nga kjo situatë detare. Ato do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit parashikohet të jetë pas orës 12:00 të së enjtes, 14 dhjetor.