PARANDALOHET KRIMI/ 23-VJEÇARI I ARMATOSUR ME SNAJPER ME FISHEKË NË FOLE, GATI PËR TË KRYER VRASJE

Një 23 vjeçar i armatosur me snajper me fishekë në fole, gati për të kryer vrasje, rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë në pikën e kontrollit dhe u largua me shpejtësi.

Policia vijon kontrollin e zonës për kapjen e 23-vjeçarit Orgest Mehi dhe bashkëpunëtorit të tij.Drejtuesi i automjetit, shtetasi Orgest Mehi, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka rritur shpejtësinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe në fshatin Gurëz ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi.

Ndërkohë është vënë në pranga një tjetër bashkëpunëtor Mateo Dashi 21 vjeç banues në fshatin Gurrës, Kurbin dhe u shpall në kërkim shtetasi Gjergj Martinaj 30 vjeç banues në Fushë Kuqe, Kurbin, të dyshuar si bashkëpunëtor të 23-vjeçarit Orgest Mehi i shpallur tashmë në kërkim për sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri snajper me precizion të lartë, me një krehër me fishekë në të dhe një çantë me fishekë të tjerë për këtë armë.

Ngjarja ka ndodhur në mesnatë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Fushë Kuqes”, Kurbin, kur shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin dyshohet se po qarkullonte shtetasi që do të kryente vrasje.

Informacioni është marrë falë inteligjencës policore dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura së fundi dhe për të parandaluar ngjarje të tjera të mundshme kriminale.