‘URË LIDHËSE’ MES MINISTRISË SË MJEDISIT DHE BIZNESMENIT NË KËRKIM, SI E PUNËSOI BLLAKO ISH-VARTËSIN E TIJ TE ZOTO. DËSHMIA E BEZHANIT PËR KOMUNIKIMET ME EMAIL-IN ZYRTAR

Një tjetër ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit është përfshirë në hetimet e dosjes së SPAK për inceneratorin e Tiranës. Bëhet fjalë për Vladimir Bezhanin, për të cilin SPAK nuk ka ngritur asnjë akuzë, ndërsa sqaron se ka qenë ‘urë lidhëse’ për të siguruar nga Autoriteti Kontraktor dokumentacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, me qëllim vënien më pas të këtij dokumentacioni në dispozicion të Klodian Zoto, që ka shërbyer për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe për t’u shpallur fitues shoqëria propozuese “Integrated Energy BV”.

Në dosje sqarohet se pas daljes në pension në vitin 2014, pasi Bezhani u caktua këshilltar i Jashtëm i Ministrisë së Mjedisit, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Alqi Bllako, duke qenë se ish-zyrtari nuk merrte rrogë, e sugjeroi të punonte në shoqërinë e Zotos, person në kërkim.