DETAJE TË TJERA NGA VETËVRASJA E NËNËS SË 4 FËMIJËVE/ PISTË E RE HETIMI, VËLLEZËRIT PRETENDOJNË SE BASHKËSHORTI I SAJ ISHTE I DHUNSHËM

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tronditëse në Sukth, ku një nënë e katër fëmijëve vrau veten pas disa postimeve denigruese në rrjetin social TikTok.

Ajo humbi jetën në 2 janar, ku sipas policisë, 41-vjeçarja piu fotoksinë. Një pistë e re hetimi është deklarata e vëllezërve të 41-vjeçares, të cilët kanë hedhur dyshime mbi bashkëshortin e saj. Sipas gazetares Dorjana Bezat, ata pretendojnë se ai ishte i dhunshëm dhe shumë i ashpër me të dhe mund ta ketë çuar drejt vetëvrasjes.

Çfarë dihet deri më tani?

Bashkëshorti i 41 vjeçares ishte emigrant në Greqi dhe ishte kthyer në shtëpi në datë 27 dhjetor. Familja kishte festuar ndërrimin e viteve dhe në datë 2, gruaja kishte kryer vetëvrasje duke pire fotoksinë.

Në momentin e ngjarjes, në banesë ishte me 2 djemtë dhe bashkëshortin, të cilët thanë para uniformave blu se nuk e panë gruan të pinte helm.

Gruaja u dërgua me shenja jete në spital dhe pas 24 orësh ndërroi jetë.

Në momentin e parë as fëmijët dhe as bashkëshorti nuk u shprehën në lidhje me shqetësimet që mund të kishte pasur 41-vjeçarja. Kur janë ripyetur, kanë treguar mbi profilet false, që përdornin fotot e saj me gjuhë denigruese.

Policia ka referuar çështjen në Prokurorinë e Durrësit e cila po heton rastin.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar dhe celulari i 41-vjeçares dhe po punohet me deklarimet e te afërmve të saj.